Shiu është forma më e rëndësishme e reshjeve të larta. Formohet me kondenzimin e avullit të ujit në atmosferë në kushte termike mbi 0°C. Përbëhet nga pikat e ujit me diametër prej 0,5 deri 8,0 mm, këto te fundit janë me peshë rreth 0,2 gram. Nga madhësia e pikëzave të shiut varet edhe shpejtësia e rënjes së tyre p.sh. Nëse diametri i pikave të shiut është 0,5 mm, ajo bie nëpër ajër të qetë me shpejtësi prej 3 m/s, ndërsa nëse diametri i pikave të shiut është rreth 5,0 mm, shpejtësia e rënjes është 8 m/s. Pikat e shiut më të mëdha se 8,0mm në kalim përmes ajrit ndeshen mes vete duke u shpartalluar në pika më të voga. Ai bie vetëm nga retë që janë më të trasha se 700 m dhe më shpesh nga retë shtresore të shiut dhe shtëllungore të shiut. Kur pikat e shiut bien nga retë me trashësi rreth 700 m atëher fillon të rigojë shi, ndërsa kur retë janë më të trasha se 1500 m, atëher prej tyre bie shi.
Në shtresat e epërme të atmosferës me anë të kondenzimit formohen pikëzat shuhmë të imëta të ujit, prej të cilave përbëhen retë. Këto pikëza të ujit janë të lehta dhe nuk munden ta përballojnë rezistencën e ajrit dhe të rrymave ngjitëse të ajrit. Prandaj, këto pikëza shumë të imëta të ujit qëndrojnë në shtresa të epërme të troposferës dhe nuk bien në sipërfaqe tokësore. Zmadhimi i pikëzave të ujit në re bëhet me bashkimin reciprok të tyre. Ky proces i bashkimit të pikëzave të imëta të ujit në pika të mëdha quhet koagulacion. Tash pikat e ujit me peshë më të madhe përballojnë rezistencën e ajrit dhe të rrymave ngjitëse të tij, e si e tillë bien në sipërfaqen tokësore në formë të shiut. Koha e rënjes, sasia dhe intensiteti i rënjes së shiut kanë rëndësi të madhe klimatike dhe praktike.
Në rënien e reshjeve atmosferike vërehet ndryshimi gjatë ditës dhe vitit mbi kontinente dhe oqeane. Mbi kontinente reshjet atmosferike më të shpeshta bien gjatë ditës dhe verës, ndërsa më të shpeshta bien mbi oqeane gjatë natës dhe dimrit.
Në ujin e shiut gjendet një sasi e caktuar e përbërjeve kimike. Sipas një analize që bënë francezët, është vërtetuar se në 1 litër shi gjendet rreth 2 mg azot në formë të amoniakut dhe 0,7 mg në formë të acidit nitror. Një përbërje e tillë e shiut është me rëndësi të madhe për botën bimore, sepse në vete përmban materie ushqyese, të cilat në mënyrë të konsiderueshme ndikojnë në zhvillimin e bimëve.